Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate, njoftoi se ka arrestuar dy personat e dyshuar për sulm seksual ndaj një vajze në Prishtinë, transmeton Fol Drejt.
Sipas policisë, të dyshuarit për këtë rast i cili ka ndodhur të dielën pasdite janë A.G 33-vjeçar dhe B.G 36-vjeçar.
“Sot nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, janë arrestuar dy persona të dyshuar për sulm seksual. Arrestimi i të dyshuarve: A. G, mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe B. G, mashkull 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ardhur si rezultat i një pune të shkëlqyer hetimore të cilën specialist për hetimin e krimit e kanë bërë në rastin e denoncuar me datën 28.08.2022”, thuhet në komunikatën për media.
Bëhet e ditur se pas arrestimit me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit, ndaj dy personave u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për t’u proceduar më tej pas kompletimit të veprimeve të nevojshme. /FolDrejt/