Kryeministri britanik Rishi Sunak e quajti “akt frikacak” ekzekutimin nga Irani të shtetasit britaniko-iranian Alireza Akbari, duke e dënuar vrasjen “nga regjimi barbar që nuk ka respekt për të drejtat e njeriut të popullit të tij”.
Sot herët, gjyqësori iranian njoftoi ekzekutimin e Alireza Akbari, ish-zëvendës ministër i Mbrojtjes, disa ditë pasi ai u dënua me vdekje me akuza për spiunim për Britaninë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Jam i tmerruar nga ekzekutimi i shtetasit britaniko-iranian Alireza Akbari në Iran. Mendimet e mia janë me miqtë dhe familjen e Alirezas”, shkroi Sunak në Twitter.
Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, lëshoi një deklaratë pas ekzekutimit, duke thënë se nuk ky akt nuk do të kalojë “i pasfiduar”.
“Ky akt barbar meriton dënimin më të ashpër të mundshëm. Përmes këtij akti të motivuar politikisht, regjimi iranian ka treguar edhe një herë shpërfilljen e tij të pashpirt për jetën njerëzore”, tha Cleverly.
“Ne do të thërrasim të Ngarkuarin me Punë të Iranit për ta bërë të qartë neverinë tonë ndaj veprimeve të Iranit. Mendimet tona janë me familjen e Akbarit”, shtoi ai.
Sipas agjencisë së lajmeve Mizan të afërt me gjyqësorin iranian, Akbari u ekzekutua me akuzat për “korrupsion në tokë” dhe “veprim të gjerë kundër sigurisë së brendshme dhe të jashtme të vendit”./FolDrejt/