Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu ka njoftuar se është suspenduar përmbaruesi Irfan Kërçagu.
Për këtë ajo njoftoi përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Bazuar në kompetencat ligjore, sot kam nënshkruar Vendimin për suspendim të përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor.
Si Ministre e Drejtësisë jam zotuar në mbrojtjen e interesit publik dhe çdo vendim i imi do të jetë në linjë me këtë parim.
Profesionet e lira duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe institucioneve e jo të kontribuojnë në dëmtimin e tyre.
Duke pasur parasysh ankesat e qytetarëve dhe institucioneve ndaj përmbaruesve, i bëj thirrje të gjithë përmbaruesve që të respektojnë përgjegjësitë e tyre sepse nuk do të tolerojmë asnjë tejkalim kompetence apo shkelje”, u shpreh Haxhiu./FolDrejt/