Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se njëri nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it është arrestuar, raporton Fol Drejt.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sveçla theksoi se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.
“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.
Republika nuk do të zmbrapset.” u shpreh tutje ai. /FolDrejt/