Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur moment të veçantë krenarie diplomimin e kadetëve të rinj policorë, raporton Fol Drejt.
“Moment i veçantë krenarie sot për të gjithë ne dhe Republikën e Kosovës me rastin e diplomimit të Gjeneratës së 57-të të Kadetëve Policor.
433 të reja e të rinj sot dhanë betimin për shërbim ndaj vendit dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim. Në profesionin më fisnik që ata kanë zgjedhur, të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë vlerë e shtuar në arritjen e aspiratave të vendit tonë. Respektimi i ligjit, paanshmëria në shërbim, përkushtimi ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë do të jenë synimet e kësaj gjenerate e të gjitha të tjerave që do të vijnë në vijim. Integriteti moral e profesional i secilit dhe ngritja profesionale e akademike që garantojnë polici edhe më efikase janë synimet tona të përbashkëta.”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ai shtoi se ishte i nderuar që në këtë ditë të suksesshme për Republikën e Kosovës, në shenjë falënderimi për kontributin e vazhdueshëm për Policinë e Kosovës, ka dekoruar me Medalje për Meritë z. Michael Davenport, Ambasador i OSBE-së në Kosovë dhe znj. Kimberly Riffe, Udhëheqëse e Programit Ndërkombëtar të asistencës për trajnime në hetimet penale të departamentit të drejtësisë në kuadër të Ambasadës Amerikane. /FolDrejt/