Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur gjatë ditës së djeshme lidhur me paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për vizitë në Kosovë.
Ai ka paralajmëruar se nëse Vuçiq nuk ka leje për vizitë dhe hyn në Kosovë do të arrestohet, u shpreh Sveçla në ATV, përcjell Fol drejt.
“Për me leje, te Kryeministri, për pa leje te unë”, tha ai.
“Është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiqit. E, për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të… kaq”.
I pyetur nëse do të arrestohet nëse hyn në Kosovë pa leje, ai tha “nëse futet në Kosovë, pa asnjë dyshim. Si po mendoni ju që dikush, shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës”.
“Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tënd”, tha Sveçla.
Ai madje tha se beson se Vuçiq është aq i krisur që të vijë në Kosovë pa leje.
Ditë më parë Vuçiq tha se sapo t’i jepet “leja demokratike” do të shkojë në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë.
Madje theksoi se nuk do t’i kërkojë leje as kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.