Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Institucionet e Serbisë, krerët e tyre, janë të interesuar sërish të destabilizojnë pjesë të vendit ku jeton komuniteti serb në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
“Institucionet e Serbisë, krerët e tyre, janë të interesuar sërish të destabilizojnë pjesë të vendit ku jeton komuniteti serb në Kosovë. Kështu ka bërë historikisht. Ata vazhdojnë të mbrojnë dhe glorifikojnë kriminelë të cilët kryejnë akte edhe terroriste në Republikën tonë.”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ai tha se Milovan Bozovic është një i tillë. Figurë e njohur për institucionet e sigurisë, si kriminel, pjesëtar aktiv i strukturës ilegale “Mbrojtja Civile” dhe grupeve të tjera kriminale. I njëjti po konsiderohet si hero për strukturat e Serbisë që e kanë dirigjuar. Për shkathtësitë e treguara në veprime kriminale ai është edhe ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Milan Radoiçiq.
“Përveç djegies së veturave në veri, plagosjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimit të infrastrukturës sonë kritike, kalimit ilegal të kufirit, rrahjeve të qytetarëve serbë, haraçit dhe zjarrvënies së bizneseve lokale, ai ka marrë pjesë edhe në sulmet ndaj shtëpive dhe pronave të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe dyshohet për vrasjen e një pjesëtari të EULEX.”, tha tutje Sveçla. /FolDrejt/