Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar ndalimin e ish-pjesëtarit të MUP-it i cili ishte pjesë e PK-së, Dejan Pantiç, shkruan Fol Drejt.
Sveçla tha se i ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.
Ministri theksoi se grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
“Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit”, tha në fund Sveçla. /FolDrejt/