Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron në Mal të Zi ku ishte pjesë e panelit të samitit ër Demokraci në Europën Juglindore, në të cilin ka folur për angazhimin e Kosovës në ruajtjen e vlerave demokratike dhe dialogun me Serbinë, shkruan Fol Drejt.
“Nën organizimin e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), sot filloi punimet Samiti për Demokraci në Europën Juglindore, që po mbahet në Mal të Zi. Kisha nderin që në kuadër të këtij Samiti të takoj Kryeministrin në detyrë të Malit të Zi z. Dritan Abazovic dhe Presidentin në ardhje të Malit të Zi z. Jakov Milatovic. Përmes video mesazhit, kishim kënaqësinë të kishim pjesëmarrës në hyrje të konferencës z. Derek Chollet, Këshilltar në Departamentin Amerikan të Shteteve të Bashkuara si dhe Senatorin Amerikan z. Mitt Romney.”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sveçla tha se si pjesë e panelit të parë të këtij samiti, ai ka theksuar angazhimin e Qeverisë në ruajtjen e vlerave të demokracisë, në sundimin e ligjit e në luftimin e çdo fenomeni që cënon sigurinë e Kosovës. Duke qenë se tema e panelit ishte edhe për dialogun me Serbinë, ai tha se kanë biseduar rreth sfidave me të cilat ballafaqohet vendi ynë në këtë proces si dhe për rëndësinë e të qenurit palë konstruktive dhe e përgjegjshme e dialogut.
“Në kuadër të kësaj, theksova edhe nevojën që marrëveshja e nënshkruar në Ohër duhet të zbatohet sa më parë dhe në plotni. Ndonëse deri më tash, nga 11 pika të marrëveshjes, Serbia ka shkelur 8 prej tyre.
Republika e Kosovës qëndron e përkushtuar që të jetë palë aktive në promovimin e vlerave të demokracisë, ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Aspiratat tona si institucione por edhe të qytetarëve tanë janë integrimi në Bashkimin Europian dhe anëtarësimi në NATO, si garanca të stabilitetit dhe sigurisë së vendit tonë.”, shtoi në fund Sveçla. /FolDrejt/