Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupet e organizuara kriminale në veri, të cilat tentuan të pengojnë vendosjen e kryetarëve të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq në zyret e tyre në objektet komunale, raporton Fol Drejt.
“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sveçla përgëzoi Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë.
“Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë.
Institucionet demokratike të Republikës së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe të pakompromis me sulmuesit e demokracisë, ligjit dhe qytetarisë.”, shtoi tutje Sveçla. /FolDrejt/