Ministri i Punëve të Brendshme në Republikën e Kosovës, Xhelal Sveçla tha se sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme, shkruan Fol Drejt.
Ai shkroi në Facebook se zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik.
Mirëpo, sipas tij, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare.
“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush”, shtoi Sveçla.
“Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, përfundoi ministri. /FolDrejt/