Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se të gjithë jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me vërshimet e mëdha me të cilat është ballafaquar qyteti i Pejës mbrëmë dhe të pikëlluar që këto vërshime morën jetën e dy qytetarëve tanë, raporton Fol Drejt.
“Që nga fillimi i përkeqësimit të situatës, të gjithë akterët e nivelit qendror kanë qenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë për reagim dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me nivelin lokal ku po bëhet vlerësim sistematik i situatës.”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve Ademaj dhe Hoxhiq për humbjen e më të dashurve të tyre.
“Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe komunikimin e vazhdueshëm mbrëmë me Qendrat Operative Emergjente dhe njëkohësisht i ftoj që për çdo kërkesë apo informacion të vijojnë të kontaktojnë pa pagesë në numrin emergjent 112, Policinë e Kosovës 192 dhe Zjarrfikësit 193.”, u shpreh në fund Sveçla. /FolDrejt/