Ministri i Punëve të Brendshme. Xhelal Sveçla, ka apeluar që të injorohen thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës me synim marshimin drejt veriut të vendit, raporton Fol Drejt.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ai theksoi se përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale.
“Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit.
I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime.”, shtoi në fund ministri. /FolDrejt/