Themelimi i Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër ka zënë vend meritor në një artikull të gazetës prestigjioze: Neue Zürcher Zeitung.
SVP-ja (Partia Popullore e Zvicrës) nuk është se ka ndonjë simpati për kosovarët që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Megjithatë, disa zyrtarë të kësaj partie kanë dhënë kontributin e tyre për themelimin e Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër.
Ajo që ia vlen të përmendët është një hollësi: Përfaqësues zyrtarë të SVP-së (Partia Popullore e Zvicrës) kanë pasur një rol dominues në themelimin e Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër. Anëtarë i Bordit të këtij institucioni është zgjedhur deputeti i Parlamentit të Zvicrës Alfred Heer, i cili është edhe këshilltar i Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër. Përkrah treshes së njohur në Bordin themelues, është edhe Hans Egloff, gjithashtu deputet në Parlamentin nacional të Zvicrës dhe president i “Lidhjes për pronësi familjare”. Kjo mund të duket e çuditshme, duke u nisur nga fakti se SVP deri më tani nuk ka pasur ndonjë simpati përballë kosovarëve në Zvicër. Por, Oda e Tregtisë Kosovë – Zvicër është një organizatë jopolitike dhe në këtë rast bëhet fjalë vetëm për biznes.
Po si ndodhi që zyrtarë të lartë të SVP-së të jenë pjesë e iniciativës për themelimin e Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër?
Siç sqaron Andreas Erb, anëtar i Këshillit të Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër, zoti Alfred Heer dhe Presidenti i Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër, kosovari Muse Komani, njihen për vite të tëra me njëri tjetrin. Komani është i njohur si një sipërmarrës i dëshmuar dhe me autoritet në fushën e patundshmërive dhe gastronomisë në Qarkun e katërt të Cyrihut ku është rritur Heer, i cili është deputet në Parlamentin Nacional si dhe në Këshillin e Evropës. Themelimi i Odës së Tregtisë Kosovë – Zvicër, nuk ka të bëjë fare me politikën e partisë, thotë Erb. Prapa iniciativës qëndron miqësia me zotin Komani dhe zotin Islam Spahiu, drejtues i Konsullatës së Kosovës në Cyrih.
Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve, tashmë janë të ngushta. Në Zvicër jetojnë rreth 200 000 kosovarë, të cilët përbëjnë një nga grupimet më të mëdha të të ardhurve në Zvicër. Pothuaj çdo banor nga ky shtet i vogël i Ballkanit ka një të afërm që jeton në Zvicër. Edhe pse në Zvicër jeton një diasporë prej thuajse 10 për qind e popullatës prej 1.8 milionë nga Kosova, nuk ka ndonjë bashkëpunim bilateral të thelluar ekonomik mes dy shteteve. Ky vend, që po lufton me një deficit masiv në fushën e tregtisë, në vitin 2017 ka eksportuar mallra në vlerë prej 27 milionë frangash, para së gjithash mobile, makineri dhe plastikë. Ndërkaq, eksportet e Zvicrës drejt Kosovës, vlerësohet të kenë arritur shumën prej 40 milionë frangash. (Vetura, material farmaceutik, produkte bujqësore dhe makineri).
Gjendja nuk duket më mirë as në fushën e investimeve edhe pse Zvicra renditet në këtë lëmi pas Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. As një nga sipërmarrjet e mëdha zvicerane nuk janë të pranishme me investime në Kosovë, ndërsa pjesa më e madhe e kapitalit është e orientuar për vite të tëra në patundshmëri dhe ndërtimtari, gjë që ndihmon pak në zhvillimin ekonomik. Edhe më tej në Kosovë, dërgohen para tri herë më shumë në formë remitenca se sa në formë të investimeve. Sipas raportit më të ri ekonomik të Ambasadës zvicerane në Prishtinë, një e pesta e remitencave vije nga Zvicra.
Gjendja nuk është më e mirë as në fushat tjera… Edhe më tej ndodhin ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa e pa zgjidhur mbetet akoma çështja e statusit të Kosovës, e cila po mban larg investitorët e huaj.
Kështu, Oda e Tregtisë Zvicër – Kosovë ka shumë për të bërë. Faktorët dhe shkaqet kryesore që mund të konsiderohen pengesë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Zvicrës, mbesin jashtë fushës së ndikimit të kësaj shoqate. Nisur nga shkalla e lartë e papunësisë prej më shumë se 30 për qind – në grupmoshat nga 15 deri në 24 vjeç, shkalla e papunësisë tejkalon në mënyrë alarmante kuotën e 55 për qind – migrimi për kosovarët ashtu si më parë mbetet nga strategjitë më efektive për të përmirësuar pozitën e tyre ekonomike. Kështu, nisur nga ky sfond, kujdesi ekonomik i Zvicrës për Kosovën nuk pritet të ulët në të ardhmen.