Myftiu i zonës së Shkodrës, Muhamed Sytari, mori pjesë sot në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.
Për këtë ai njoftoi përmes një njoftimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
Më poshtë ju sjellim fjalën të cilën e mbajti Sytari gjatë ceremonisë.
“20 vjet Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë
Të dashur të pranishëm,
Kur miku dhë vëllai im i shtrenjtë, Mr. Fehim Abazi, Kryetar dhe Imam i QShIKR, më ftoi të jem pjesë e kësaj mbrëmjeje jubilare, përveçse u gëzova, u sikletosa për atë që do të thoja përpara jush për disa arsye.
Nuk është e lehtë të flasësh në pak minuta dhe të vlerësosh një rrugëtim të gjatë prej dy dekadash, mbushur me gjurmë dhe kontribute, që vetëm të lexohen në një listë kronologjike, do të duhej më shumë se një natë për të mbërritur fundin e përkohshëm.
U mendova dhe, në qetësi solla para sysh vizitat e shumta, takimet e ngrohta, aktivitetet e larmishme dhe, mbi të gjitha cilësinë e antarëve të kësaj qendre vlerash islame, kombëtare e njerëzore, që është integruar më së miri në sistemin e vlerave të shoqërisë zvicerane, duke u dëshmuar me gisht për të mirën dhe humanizmin, frymën e tolerancës dhe mesatarizmin në trajtimin bukur të fesë në jetën e individit.
Shumësia e detajeve para syve të mi, më tërhoqën drejt leximeve të hershme, ku nuk gjeta shembull më të mirë për të përshkruar me pak fjalë këtë bekim të madh të muslimanëve shqiptarë në Lozanë, vetëm se falënderimin ndaj mirësive të Allahut, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Çdo të mirë që e keni, ajo është prej Allahut…”.
Në këtë kontekst, të gjithë duhet të përulemi para këtij bekimi hyjnor, duke kuptuar në krye të herës se: “Falënderimi obligativ për të gjitha krijesat është falënderimi i zemrës, që është të dijë njeriu se burimi i mirësisë është nga Allahu dhe se, çdo mirësi që ndodh në qiell e në tokë, fillimi i saj është nga Allahu!”.
Sot, më shumë se asnjëherë, kemi nevojë për qendra kulturore islame të urtësisë, ku tekstet fetare lexohen me dashuri e mëshirë, me delikatesë dhe largpamësi, larg fanatizmit të verbër, ngutjes në lexime sipërfaqësore, a interpretimeve ekstreme, për të cilat paralajmëronte i dërguari i Allahut, Hz. Muhammedi (a.s), kur thoshte: “Humbur qofshin ata që ia ngushtojnë njerëzve fenë!” , duke e përsëritur këtë fjalë tri herë para shokëve dhe besimtarëve të tij!
“Edukimi i vërtetë fetar, bindja e pastër besimore, janë ato që ndërtojnë në zemrën e të zotit besnikërinë dhe këshillën, të vërtetën dhe sinqeritetin, dlirësinë dhe integritetin në hak të atdheut dhe me krejt njerëzit! Besimi i vërtetë është ai që e distancon të zotin nga pabesia dhe tradhëtia, nga e keqja dhe krimi, nga mashtrimi dhe dredhia, si dhe e ndihmon atë për të qëndruar larg ambicieve të ulëta dhe ndalesa!”.
Kemi nevojë që fëmija i jonë, i riu i jonë, vajza dhe e reja, bashkëshortja dhe prindi më i moshuar, të gjejnë rehatinë e shpirtit në xhamitë tona, në qendrat tona kulturore, ku përzihen sëbashku vlerat dhe ndjenjat më të larta të besimit, mirëkuptimit, solidaritetit, bamirësisë, dijes së dobishme, nxitjes për shfrytëzimin e kohës, ruatjes së tabanit familjar, atij kombëtar, njerëzor, si dhe ku edukohen individë të shëndoshë të shoqërisë, ku jetojmë dhe punojmë!
Po dëgjoja me kënaqësi e nostalgji një ligjëratë të mbajtur në nëntor të vitit 2016 në Damask, nga dijetari dhe edukatori i urtë, Shejkh Naim El-Arksusi, bashkëpunëtor i ngushtë i dijetarit të shquar shqiptar me famë botërore, Shejkh Shuajb Arnautit, rahmet pastë.
Ligjërata përqendrohej tek modeli i tolerancës së muslimanëve në histori. Në fund të saj, Hoxha i dashur i drejtohet me një mesazh të urtë sirianëve të shpërngulur në Evropë, gjatë këtyre viteve. Ndër të tjera, thotë: “A e shihni, o vëllezër, tolerancën e muslimanëve përgjatë historisë, gjë për të cilën dëshmojnë edhe shkrimet e vetë perëndimorëve!
Sepse kjo është cilësi e muslimanit me muslimanin dhe me jomuslimanin! Ajetet kur’anore dhe hadithet profetike na e obligojnë këtë, na nxisin drejt saj. Dhe, ja muslimanët, që i zbatuan këto porosi përgjatë shekujve!
Prandaj, me këtë rast, i drejtohemi atyre që kanë emigruar drejt Evropës dhe u themi: Ju jeni ambasadorët e fesë suaj në vendet e Evropës! Ju jeni ambasadorë të vendeve tuaja, prandaj ruajeni moralin e Islamit!
Silluni me njerëzit atje me mirësinë e moralit islam! Tregojuni atyre mirësjelljen e Islamit; të vërtetën në fjalë, besën, përsosmërinë në vepra, nderin, sinqeritetin në punë!
Ruajuni që të dalë prej jush ndonjë fjalë a sjellje, që e dëmton imazhin rrezatues të Islamit! Ruajuni, mos të veproni ndonjë vepër, që i atribuon fesë suaj akuza e dyshime!
Bëhuni thirrës drejt kësaj feje, me moralin tuaj të lartë, me ruajtjen e amanetit, me pastërtinë tuaj, me dlirësinë tuaj, me largimin nga gjynahet dhe prapësitë, me distancimin nga të ushqyerit me pasuri harami!
Ruajuni, mos të paragjykohet kjo fé e madhnueshme nga veprat tuaja!
…
Kjo është e vërteta e Islamit tonë, që duhet ta praktikojmë në realitetet tona, në mënyrë që krejt njerëzit ta dijnë se çfarë është Islami: ‘Ne nuk të kemi dërguar ty, (o Muhammed), veçse mëshirë për mbarë botët’.” Ky është Islami ynë, sot e përherë, këta jemi ne!
Të dashurit e mi,
Tash, në këtë mbrëmje jubilare të Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë, teksa shoh gëzimin në fytyrat tuaja, si dhe dinamikën, aktivitetin dhe përkushtimin e imamit, këshillit, antarëve dhe veprimtarëve të kësaj qendre shumëdimensionale, me të cilën mburremi dhe që mbetet burim sigurie dhe garant i përhapjes së vlerave, njerëzillekut, harmonisë, dijes dhe përkushtimit në mesin e besimtarëve, por jo vetëm, nuk mbetet tjetër vetëm se të lutemi: O Zot, pranoje nga të gjithë dhe jepi mbarësi e bekim për të vazhduar kështu dhe më shumë se kaq!
Urime dhe mbarësi!”, u shpreh Sytari gjatë ceremonisë./FolDrejt/