Sipas njoftimit zyrtar, Këshilli Evropian (KE), ka njoftuar se ia ka zgjatur edhe për një vit mandatin shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, transmeton Fol Drejt.
Mandati i ri i Szunyog do të përfundojë më 31 gusht 2024.
Ai ishte emëruar si Përfaqësues Special i BE-së për Kosovën më 1 shtator 2020. Mandati i tij përfshin detyrën e ofrimit të këshillave dhe mbështetjes së BE-së në procesin politik dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Unionit në Kosovë.
Përveç Szunyog, Këshilli Evropian ia ka vazhduar mandatin edhe për një vit Johann Sattlerit në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Toivo Klaar u emërua për Kaukazin e Jugut.
Përfaqësuesit Specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta si dhe për t’i siguruar BE-së një prani politike aktive në ato zona.