Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, me rastin e intervistës që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka dhënë për CNN, ka thënë se nuk është mirë që Vuçiq nuk ka thënë qartë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, raporton Danas, përcjell Fol Drejt.
Tadiq tha për televizionin Nova S se Vuçiq përsëri, pas fjalimit të tij në OKB vitin e kaluar, i është shmangur përgjigjes në pyetjen se çfarë duhet që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai ka theksuar se për të është “shumë indikative” që Vuçiq as në OKB dhe as në një intervistë për CNN ka thënë me vendosmëri se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Kjo nuk është mirë për mua sepse presidenti i Serbisë, duke pasur parasysh kushtetutën, duke pasur parasysh politikën e vendit, të cilën ai gjoja e mbron në Serbi, do të duhej ta thoshte këtë me vendosmëri”, tha Tadiq.
Ai shtoi se “të gjithë e dinë se Vuçiq ka ushtruar ndikim tek serbët e Kosovës para zgjedhjeve”.
“Paqja në Kosovë është e kërcënuar, kjo situatë mund të shpërthejë, zgjedhjet në Kosovë nuk kishin legjitimitet”, tha Tadiq. /FolDrejt/