Dashuri e pafund
Duket që t’paskam dashtë në të panumërta forma, t’panumërta herë…
Në jetë pas jete, në moshë pas moshe, përgjithnji.
Zemra ime e magjepsur ka stisë e ristisë gjerdanin e kangëve,
Që ti si nji dhuratë e merr, e veshë rrotull qafe në plot tuat forma,
Në jetë pas jete, në moshë pas moshe, përgjithnji.
Sa herë që dëgjoj kronika t’moçme t’dashurisë, dhimbja e vjetër e kahershme,
Përralla e saj e lashtë e të qenit të ndamë a të qenit bashkë.
Gjersa vështroj thellë e ma thellë t’kaluarës, në fund më del ti,
E veshur me dritën e nji ylli-poli tue thërrmue errësirën e kohës:
Ti bëhesh nji vizion i asaj që mbahet mend përgjithnji.
Unë e ti kemi notu këtu mbi përroin e dalun prej njaj gurre.
Midis zemrës së kohës, dashuri e njërit për tjetrin.
Ne jemi argëtu midis miliona t’dashurve, të përndamë në të njëjtën
Ambëlsi-turpnim t’takimeve, në të njëjtët lot pikëllues të lamtumirës-
Dashuri e moçme po në forma që rinohen e rinohen përgjithnji.
Sot është grumbullue n’këmbët e tua, e ka gjetë fundin e vet në ty
Dashuria e ditëve të krejt njerëzimit dikur e përgjithnji:
Kënaqësi universale, pikëllim universal, jetë universale.
Kujtimet e krejt dashurive tu u bashkue me këtë tonën dashuri-
E me kangët e çdo poeti dikur e përgjithnji.
Përktheu: Rrezarta Morina