Deputeti nga radhët e Partisë Demokratikë të Kosovës dhe njëherit edhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, ka thënë në vitin 2023 kanë hyrë me pasoja të retorikës së kryeministrit gjatë 2022-tës, transmeton Fol Drejt.
Tahiri, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, për luftë, ka vlerësuar se nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, Kosova është kthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte.
“Ta mendosh se çfarë dëmi i ka bërë kjo Kosovës, do të thotë të kesh në mendje tre parametra: Cili investitor i huaj do të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset? Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër të tillë? Çfarë e ardhmeje ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij?”, ka pyetur Tahiri në postimin e tij në facebook.
“Në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/