Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, nga foltorja e Kuvendit i është drejtuar ministres Albulena Haxhiu duke e quajtur ministre e sanksionuar e SHBA-ve.
“E nderuara ministre e sanksionuar e SHBA-ve, nuk e di a ka gjë më të padinjitetshme në këtë vend se sa me u sanksionu nga SHBA-të”, është shprehur Tahiri që në fillim të fjalës së tij 2-minutëshe nga foltorja e Kuvendit, duke i kërkuar njëkohësisht ministres Haxhiu dorëheqje.
Ai madje i është drejtuar edhe gjithë qeverisë Kurti, duke konsideruar se po krijojnë një ambient të pafavorshëm për Republikën e Kosovës dhe ambient sipas tij që është për krim, korrupsion e kontrabandë.
“Nuk është e mirë as për mua si deputet të flas me një ministre që është e sanksionuar nga bota perëndimore, e sanksionuar nga SHBA-të”, ka vazhduar tutje deputeti Tahiri duke kërkuar kështu edhe dorëheqjen e ministres për shkak të këtij sanksionimi.
“Unë me qenë në situatën tane, vërtet kisha dhanë dorëheqje, sepse është e turpshme me e ushtru pozitën e ministres së Drejtësisë një njeri që sanksionohet prej SHBA-ve”, ka thënë Tahiri./FolDrejt/