Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili po qëndron në Riga të Letonisë, i ka kërkuar ministrit të Punëve të Jashtme të Letonisë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës gjatë presidencës së shtetit të tij, raporton Fol Drejt.
“Sot, në Riga të Letonisë, pata mundësinë t’i drejtohem me një pyetje Ministrit të Punëve të Jashtme të Letonisë, z. Edgars Rinkevičs, rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe nevojën që zgjerimi i kësaj organizate të ndodhë në mandatin e presidencës së Letonisë.”, shkroi Tahiri në Facebook.
Tahiri theksoi se ministri ishte pozitiv në raport me qëndrimin e shtetit të tij, njëkohësisht u tregua mbështetës dhe tha se do të bashkëpunojë me presidentin, Tiny Koks dhe Asamblenë Parlamentare rreth kësaj teme.
“Besoj se është shumë e nevojshme që si vend të përçojmë një mesazh unifikues rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, që do t’iu mundësonte qytetarëve të Kosovës qasje në instrumente të kësaj organizate.”, shtoi Tahiri. /FolDrejt/