Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, priti në takim përfaqësues nga Departamenti Amerikan i Shtetit, të kryesuar nga Ambasadori dhe Koordinatori i Zyrës Kundër-terrorizëm, Nathan A. Sales, i cili theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do jenë mbështetës të fuqishëm në përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të administruar me sukses rreziqet potenciale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Gjatë takimit ministri Tahiri, u shpreh se forcimi i sundimit të ligjit është një ndër mjetet kryesore në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, andaj mbështetja e ShBA-ve në këtë drejtim është jetike. “Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i kundërvihen kërcënimit në rritje të terrorizmit më qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt për qytetarët e saj dhe do të kontribuojnë përmbajtësisht, në koordinim me partnerët e saj, në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha Tahiri.
Sipas një komunikate të MD-së, Tahiri theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ai shtoi se institucionet e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës do të vazhdojnë të avancojnë masat për parandalim efikas të çdo kërcënimi që ndërlidhet me natyrën e terrorizmit.
Ambasadori dhe Koordinatori i Zyres Kundër-Terrorizmit, Sales, shprehu konsideratën e lartë për përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës në agjendën globale kundër terrorizmit dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do jenë mbështetës të fuqishëm në përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të administruar me sukses rreziqet potenciale të kësaj natyre.
Ai theksoi “se mënyra më e mirë për të luftuar, terrorizmin e radikalizmin e dhunshëm, përveç vullnetit të plotë politik, arrihet edhe përmes përkrahjes së fuqishme për sektorin e sundimit të ligjit dhe zbatimit efikas të ligjeve në fuqi”.