Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje deputetëve që ta refuzojnë miratimin e ligjit për Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
Tahiri ka një arsye për këtë thirrje, e cila qëndron në kohëzgjatjen e hulumtimit të këtyre krimeve, sepse sipas Tahirit, ky institut synon t’i hetojë krimet deri me 31 dhjetor të vitit 2000, ndërkohë që lufta në Kosovë ka përfunduar më 12 qershor 1999.
“Hulumtimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë duhet të vazhdojë pa asnjë dyshim. Por Qeveria e Albin Kurtit, sot e ka shtruar në agjendë të Kuvendit miratimin e ligjit për Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, i cili synon të hetojë e hulumtojë këto krime, deri me datën 31 dhjetor të vitit 2000. Lufta në Kosovë ka përfunduar me 12 qershor, 1999, me largimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe nuk ka pasur luftë pas qershorit të 99-tës. Kjo qasje kaq antihistorike, antikombëtare e antishtetërore, për ta paraqitur dhe akomoduar interpretimin e Serbisë përmes së cilit ajo i qaset asaj periudhe, është asgjë më shumë sesa një zell i madh e i koordinuar për t’ia përmbushur edhe një kërkesë Milan Radojçiqit.
Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit që t’i përgjigjen arsyes e vetëdijes dhe ta refuzojnë këtë turp të pa kapërdishëm, antihistorik e antikombëtar.”, ka shkruar Tahiri në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook./FolDrejt/