Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e di se çfarë është biseduar në takimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Francës, si dhe emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak.
Ai kështu u deklarua kur u pyet në konferencë për media se cila është sipas tij korniza apo ‘armatura e re’ e përmendur nga Vuçiq se u prezentua në takimin e së shtunës.
“Nuk mund të flas për përshtypje dhe diskutimesh që janë bërë në Beograd”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka theksuar tutje se edhe në Bruksel i ka paraqitur gjashtë pika që sipas tij duhet t’i përfshijë korniza e përgjithshme.
“E para marrëdhëniet bilaterale të bazuara në njohje reciproke, e dyta ballafaqimi me të kaluarën ku duhet theksuar çështjen e të zhdukurve me dhunë, e treta është bashkëpunimi i ardhshëm, si do t’i realizojmë marrëdhëniet e tona Kosova dhe Serbia, e katërta të drejtat e pakicave, të drejtat e njeriut, qasja universale. E pesta është konsiderata për marrëveshjet e deritanishme dhe shkallën e zbatimit të tyre, e gjashta mekanizmat në rast të mosmarrëveshjeve në vijim”, ka thënë Kurti, duke shtuar se beson që ky propozim i tij është duke u marrë me vëmendje nga BE.