Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është pritur sot në takim nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me të cilin diskutuan për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në rajon dhe Evropë.
Krasniqi tha se Kovaçevskit i ka uruar 31 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa e ka falënderuar për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Kosovën.
“Gjatë takimit ritheksova se hapja e negociatave për Maqedonisë e Veriut është lajm i mirë edhe për Kosovën, me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancojë sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë – e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut e ka njoftuar liderin opozitar të Kosovës për hapat që ka marrë vendi i tij për të përballuar krizën globale ekonomike.
“Bashkë diskutuam edhe për projektet infrastrukturore, bashkëpunimin politik dhe proceset integruese. Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë kultivimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfqinjësor dhe mirëbesimit të ndërsjellë, në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik”.