Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Përmes një shkrimi në Twitter, ai ka vlerësuar takimin me Von Cramon si të rëndësishëm për gjendjen e dialogut Kosovë-Serbi.
“Më vjen mirë që sot u takuam me Viola von Cramon, në një nga shkëmbimet tona të rregullta! Diskutuam zhvillimet e fundit në Ballkan dhe gjendjen e tanishme në dialogun e lehtësuar nga BE.
“Gjithmonë është mirë për të marrë informata nga dora e parë për punën e PE dhe angazhimin e saj në rajon”, ka shkruar Lajçak.
Ndërkaq, ende nuk ka datë të konfirmuar për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, megjithëse në takimin e muajit gusht ka pasur pajtueshmëri për takime të rregullta të nivelit të lartë në baza mujore.
Nga Qeveria e Kosovës janë të gatshëm për takime të tilla, siç thonë për t’i shërbyer marrëveshjes finale me njohje reciproke në qendër. Ndërsa në Bashkimin Evropian nuk tregojnë nëse vizita e Lajçak gjatë të enjtes në Kosovë, ka qenë për të përgatitur takimin e nivelit të lartë.
Në anën tjetër, në partinë më të madhe opozitare PDK, thonë se takimet e shpeshta nuk do të thonë asgjë, nëse nuk ka rezultate konkrete. E rezultate konkrete, sidomos në çështjen e targave presin shoqëria civile.
Takimi i fundit i kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq ka qenë më 18 gusht në Bruksel. Aty kreu qeveritar ka thënë se ka prezantuar kapitujt për marrëveshjen finale me njohjen reciproke në qendër./Telegrafi/