Talebanët afganë po shënojnë përvjetorin e dytë të kthimit të tyre në pushtet me një festë publike, duke festuar marrjen e Kabulit dhe vendosjen e asaj që e përshkroi si siguri në të gjithë vendin nën një “sistem islamik”, shkruan Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
“Në përvjetorin e dytë të pushtimit të Kabulit, ne dëshirojmë të urojmë kombin muxhahid [luftëtar të shenjtë] të Afganistanit dhe t’i kërkojmë që ta falënderojnë Allahun e Plotfuqishëm për këtë fitore të madhe,” tha zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid në një deklaratë të martën.
“Tani që siguria e përgjithshme është siguruar në vend, i gjithë territori i vendit menaxhohet nën një udhëheqje të vetme, një sistem islamik është në vend dhe gjithçka shpjegohet nga këndi i Sheriatit [ligji islamik]”, tha Muxhahid.
Siguria ishte e rreptë në kryeqytet, Kabul, të martën ndërsa ushtarët shtuan kontrollet.
Karvanët e anëtarëve talebanë u mblodhën në sheshin Massoud pranë ndërtesës së braktisur të ambasadës amerikane. Disa nga burrat mbanin armët e tyre, ndërsa të tjerë shkrepën selfie teksa u tingëllonin himnet dhe djemtë shisnin flamurin e bardhë të lëvizjes, të shkruar me deklaratën islame të besimit.
Në Herat në perëndim, një turmë mbështetësish talebanë brohorisnin: “Vdekje evropianëve, vdekje perëndimorëve, rroftë Emiratet islamike të Afganistanit, vdekje amerikanëve”.