Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), të premten ka shënuar 24-vjetorin e themelimit, me ç’rast u diplomua gjenerata e 43-të e zyrtareve korrektuese.
Nga kjo gjeneratë të diplomuarit ishin gra, për të cilat kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, ShKK-ja po certifikon 45 zyrtare gra.
“Shënimi i përvjetorëve të institucioneve është i rëndësishme kur efikasiteti është i lartë dhe inkurajohemi për më shumë punë në të ardhmen. Të burgosurit nuk janë të lirë, po që kanë të drejta dhe ne u shërbejmë për këtë qëllim. Në qeverisjen tonë kemi shtuar kapacitetet profesionale për ngritjen e profesionalizmit të këtij shërbimi”.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibrani, tha se institucioni që ai e drejton ka shënuar një sukses në luftën kundër kontrabandës.
“Sot Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 24 vjetorin e themelimit duke dhënë një shërbim profesional në fushën e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një sistem të sigurt dhe për të rritur besimin në sistemin e drejtësisë”.
“Përfundimi prej shtatë muajsh i trajnimeve, shënon një rrugë drejt profesionalizimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në luftën kundër kontrabandës”.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar progres dhe profesionalizëm, edhe pse ka pasur shumë sfida.
“Ndonëse me shumë sfida, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar progres dhe profesionalizëm. Me qëllim të kompletimit të infrastrukturës dhe çështjet tjera, ne kemi iniciuar një varg ligjesh”.
Teuta Pllana, njëra prej kadeteve që diplomuan në këtë gjeneratë, tha se pas shtatë muajve, do të punojnë me profesionalizëm e nder.
“Kjo është një fitore e rrallë që e bën krenar jo vetëm ShKK-në, por gjithë unitetin tonë. Pas shtatë muajve trajnim, tani ka ardh koha që detyrat tona t’i kryejmë me profesionalizëm aty ku na takon. Ne mbesim falënderues ndaj gjithë mentorëve për të arritur deri këtu”, u shpreh ajo.