Ish i burgosurit politik, Binak Ulaj, thotë se burgu i Prishtinës është dëshmi për të gjitha rrahjet dhe torturat me të cilat përballëshin të burgosurit politikë aty.
Ai, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se trajtoheshin ndryshe nga të burgosurit e tjerë dhe se dënimin ua caktonte sigurimi i burgut, njofton Klankosova.tv.
“666 shekuj burg dhe falë sakrificës së atyre djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u kurorëzuan të gjithë ato sakrifica dhe e gëzojmë lirinë që e kemi”.
“Të burgosurit politikë kanë pasur një trajtim të veçantë – ata janë trajtuar shumë më keq se të gjithë të burgosurit e tjerë. Të burgosurit politikë ishin ata të cilët regjimit jugosllav ja prishin planet ndërsa të burgosurit ordinerë dënoheshin edhe me procedura tjera”.
“Tek ne [të burgosurit politikë] nuk vlenin procedurat e rregullta gjyqësore. Dënimet tona nuk i caktonte gjykata, por sigurimi. Pikërisht për këtë ne nuk merrnim as avokat pasi e dinim që dënimin dhe nuk donin t’i shpenzonim familjarët”.
“Të burgosurit politikë rriheshin dhe malltretoheshin të t’iu thyer dinjitetin dhe për t’i përvetësuar. Por, fatbardhësisht këtë nuk e arritën kurrë”, tha Ulaj.