Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, shkruan Fol Drejt.
Megjithatë, pas mbledhjes u bë e ditur se sërish nuk ka pasur kuorum për caktimin e seancës së re plenare.
Adnan Rrustemi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje njoftoi se, megjithatë, ata janë dakorduar që të enjten të ketë vazhdim të dy seancave plenare.
“Të enjten do të ketë dy vazhdime të seancave, njëra me pikat e papërfunduara nga seanca e të enjtes së kaluar pra të datës 15 shtator, dhe një vazhdim tjetër nga pikat e papërfunduara të sesionit pranveror në seancën e fundit”, tha ai.
E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se debati për grevat do të vazhdoj të enjten.
Ai tha se është e papranueshme gjendja e krijuar në arsim shkaku i grevës, dhe mos gjetjes së një zgjidhje nga Qeveria.
“Po hyjmë në javën e katërt që mësimi nuk po mbahet. Kjo është e papranueshme dhe kryeneçësia e kryeministrit Kurti i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë të krijuar” – tha ai, duke iu bërë thirrje krerëve të shtetit që të ulen e ta zgjidhin ngërçin./FolDrejt/