Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Shqipërinë për të arriturat e rëndësishme në rrugën drejt integrimit evropian, pas fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Të gjithë ne në Kosovë i gëzohemi të arriturave të Shqipërisë dhe po ashtu llogarisim në mbështetjen tuaj përderisa Kosova ecë në po të njëjtit hapa në proceset integruese”, tha Osmani në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Shqipëria, tha tutje Osmani, i ka dhënë mbështetje të pa rezervë Kosovës në të gjitha periudhat dhe ka qenë zëri i saj aty ku Kosova nuk është e përfaqësuar, shkruan rtv21.tv
Ajo i tha Begajt se “kam besim që nën udhëheqjen tuaj zoti president do t’i intensifikojmë më shumë marrëdhëniet tona në të gjitha fushat”.
Objektiv strategjik i Kosovës, sipas Osmanit, mbetet anëtarësimi në BE, sikurse në NATO.
“Do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për BE deri në fund të këtij viti, për çka llogarisim në ekspertizën dhe përvojën e Shqipërisë si shtet që tashmë ka kaluar me sukses këto procese”, tha presidentja.
Osmani theksoi se fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në rajon./21Media