Pas një odiseje të gjatë, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it i ka nisur punimet në Dubai ku, veç tjerash, pritet të votohet edhe për anëtarësimin e Kosovës. Mbledhja e përvitshme e Interpol-it do të vazhdojë deri të mërkurën, kur shtetet anëtare do të votojnë për presidentin e ri me mandat njëvjeçar.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar se votimi për anëtarësim të Kosovës në Interpol do të mbahet të martën. Në një postim në Facebook, ai ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synim i Kosovës.
“Fillim i mbarë. U konfirmua agjenda e samitit të Interpolit dhe pika ku Kosova aplikon për të qenë anëtare. Lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synimi ynë. Votimi do të ndodhë të martën”, ka shkruar ai në Facebook.