Të paktën 12 persona janë ende të zhdukur pas një shpërthimi që tronditi një fabrikë në Rusi, ka thënë një zyrtar i Moskës, raporton Sky News, transmeton Fol Drejt.
Një person u vra dhe më shumë se 60 u plagosën në shpërthimin që dëmtoi fabrikën optike dhe mekanike Zagorsk në Sergiev Posad – rreth 30 milje (48.28 km) nga kryeqyteti – dje.
Pajisjet piroteknike po ruheshin në një magazinë të marrë me qira brenda territorit, kanë thënë hetuesit.
Drejtori teknik i Pyro-Ross – një firmë piroteknike tashmë e falimentuar – është arrestuar me dyshimin për shkelje të rregullave të sigurisë, tha Olga Vradiy, nga dega e rajonit të Moskës të Komitetit Federal Hetimor.
Ajo tha gjithashtu se numri i atyre të listuar si të zhdukur ishte rritur nga tetë në 12.
Rreth 38 blloqe apartamentesh në zonën përreth u dëmtuan gjithashtu, së bashku me dy shkolla, një kompleks sportiv dhe një dyqan, tha dje guvernatori i Moskës.
Fabrika prodhon pajisje për aplikime industriale dhe shëndetësore dhe për forcat ruse të sigurisë.
Shkaku i shpërthimit është ende i panjohur, por shërbimet e urgjencës kanë hedhur poshtë raportet e hershme se mund të ishte shkaktuar nga një sulm me dron ukrainas.