Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka njoftuar se të paktën 191 fëmijë janë vrarë dhe 349 janë plagosur që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Në deklaratën e prokurorisë ukrainase thuhet se më të prekur janë fëmijët në rajonet Donetsk, Kharkiv, Chernihiv, Mykolaiv, Luhansk, Kherson, Zaporizhzhia, Sumy dhe Zhytomyr, si dhe në kryeqytetin Kiev, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Si pasojë e bombardimeve dhe granatimeve të përditshme janë dëmtuar 957 institucione arsimore, mes të cilave 88 janë të shkatërruara.
Gjithashtu, në 49 ditët që nga fillimi i luftës janë regjistruar 6.261 “krime të agresionit dhe krime lufte”, si dhe 2.848 “krime kundër sigurisë kombëtare”.
Në njoftim thuhet se këto shifra nuk janë përfundimtare pasi puna vazhdon për të konfirmuar të dhënat nga vendet ku po zhvillohen luftime aktive, si dhe nga territoret e pushtuara dhe të çliruara përkohësisht.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar, çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.892 civilë janë vrarë dhe rreth 2.600 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4,6 milionë ukrainas po ashtu kanë ikur jashtë vendit, ndërkohë miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit./FolDrejt/