“Kostoja e dhimbjes dhe shkatërrimit që një luftë e mundshme do t‘i sjellë Evropës dhe botës do të jetë shumë e madhe sa që nuk do të mund të konceptohet”, ka paralajmëruar Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka theksuar se duhet të shmangen “retorikat nxitëse” në krizën Ukrainë-Rusi dhe se “deklaratat publike duhet të synojnë uljen e tensioneve dhe jo përshkallëzimin e tyre”, shkruan AA.
Në një deklaratë për gazetarët në qendrën e përgjithshme të OKB-së, Guterres ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rritjen e tensionit dhe spekulimeve në rritje për një konflikt të mundshëm ushtarak në Evropë.
“Kostoja e dhimbjes dhe shkatërrimit që një luftë e mundshme do t‘i sjellë Evropës dhe botës do të jetë shumë e madhe sa që nuk do të mund të konceptohet”, ka paralajmëruar Guterres, duke shtuar se “Ne nuk mund të pranojmë madje as mundësinë e një konflikti që do të sjellë katastrofë”, transmeton Fol Drejt.
Ai informoi se ka zhvilluar biseda të ndara me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba. “Mesazhi im është i qartë, diplomacia nuk ka alternativë. Të gjitha problemet përfshirë edhe më të vështirat duhet të diskutohen me rrugë diplomatike. Unë kam besim të plotë se ky parim do të fitojë”, vlerësoi Guterres.
Duke rikujtuar se të gjitha vendet duhet t‘i zgjidhin problemet e tyre në mënyrë paqësore sipas kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar, Guterres, bëri thirrjen se “Është koha për të ulur tensionin dhe veprimet në terren. Nuk ka vend për retorika nxitëse. Deklaratat publike duhet të synojnë uljen e tensioneve dhe jo përshkallëzimin e tyre”./FolDrejt/