Dy raste të të shtënave me armë gjatë ahengjeve janë regjistruar në dy fshatra të komunës së Drenasit.
Rastet kanë ndodhur dje, njëri rreth orës 17:05 në Gllobar e tjetri në mbrëmje, rreth orës 20:00, në Tërstenik, transmeton Fol Drejt.
Siç shkruan në raportin 24-orësh të policisë, në të dy vendngjarjet policia ka bërë konfiskim të armëve dhe të gëzhojave të plumbave.
“Njësiti policor nga i dyshuari mashkull kosovar ka sekuestruar një pistoletë me gas si dhe një karikatorë dhe gjashtë gëzhoja, pasi që i njëjti gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë . I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet për rastin në Gllobar.
Ndërkohë, për rastin tjetër në Tërstenik, policia ka deklaruar se njesiti policor nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ka sekuestruar dy armë zjarri( një armë M-57 dhe një Pistolete, pasi që të njëjtit gjatë një ahengu kanë shtënë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të kalibrit 7.65 mm dhe 7 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me vendim te prokurorit rasti shkon ne procedure te rregullt./FolDrejt/