Çikago/ Nga të shtënat në një qendër tregtare në periferi të Çikagos në SHBA e cila ishte përplot me blerës me rastin e Krishtlindjeve mbetën të plagosur 4 persona, njoftoi policia, transmeton Fol Drejt.
Incidenti në Oakbrook Center në Oak Brook filloi mes dy personave të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit në korridor rreth orës 17:45 sipas kohës lokale, tha shefi i policisë James Kruger.
Ai tha se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetën. Tre personat që u qëlluan fillimisht besohej se ishin qëlluar nga plumba të devijuar, por Kruger më vonë tha se ata ishin goditur drejtpërdrejt. Një person i katërt pësoi dëmtim në kyçin e këmbës duke ikur, shkruan AA.
Një person është dërguar në paraburgim ndërsa policia është në kërkim të të dyshuarit tjetër, tha Kruger.
“Ky është vetëm një incident shumë fatkeq që është krejtësisht jashtë karakterit për zonën tonë”, tha ai.
Qendra tregtare është një destinacion kryesor për blerje rreth 24 kilometra në perëndim të Çikagos. Stacionet televizive me kamera ajrore treguan automjetet e policisë dhe automjetet e urgjencës të shpërndara nëpër zonë me dritat e tyre të ndezura.