Personi i akuzuar për një sulm vdekjeprurës kundër komunitetit kurd në Paris ka pranuar një urrejtje “patologjike” ndaj emigrantëve, thonë prokurorët francezë.
69-vjeçari u tha hetuesve se kishte planifikuar të vriste “të huajt joevropianë” teksa nisi të shtënat e tij të premten, thonë ata, shkruan BBC, përcjell Fol Drejt.
I dyshuari është dërguar në kujdesin psikiatrik pasi është marrë në pyetje nga policia.
Ai akuzohet se hapi zjarr në një qendër kulturore kurde, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur tre të tjerë.
Burri, shofer treni në pension i quajtur William M., i tha policisë se ishte bërë “depresiv” dhe “vetëvrasës” pasi shtëpia e tij u grabit në vitin 2016, tha zyra e prokurorit të Parisit të dielën.
Ai pranoi se që atëherë, urrejtja e tij ndaj të huajve ishte “bërë krejtësisht patologjike”, shtoi deklarata.
Aty thuhet se të premten ai fillimisht shkoi në Saint-Denis, një periferi me emigracion të lartë në Parisin verior, me qëllim që të vriste “jo-evropianë” – por gjeti pak njerëz atje.
Më pas ai udhëtoi për në qendrën kurde Ahmet-Kaya në lagjen e 10-të të Parisit, ku kreu sulmin.
Burri e kishte inat atë komunitet sepse milicët kurdë të përfshirë në konfliktin sirian kishin “marrë të burgosur gjatë luftës së tyre kundër Shtetit Islamik në vend që t’i vrisnin”, thonë prokurorët.
Një restorant aty pranë dhe një parukiere gjithashtu u vunë nën zjarr përpara se burri të arrestohej pa përleshje.
Ai u ndalua me dyshimin për vrasje, tentativë vrasjeje dhe veprim me motive raciste.
Ai ka një histori të shkeljeve të armëve dhe ka dalë se është liruar me kusht disa ditë para sulmit.
Vitin e kaluar ai u akuzua për dhunë raciste për një sulm me shpatë në një kamp emigrantësh në kryeqytetin francez.
Të shtënat shkaktuan trazira të premten dhe të shtunën. Demonstruesit ndezën zjarre në rrugë, duke thyer xhamat e makinave dhe duke u përleshur me policinë.
Dhuna u shpalos pasi kurdët ishin mbledhur në mënyrë paqësore në Place de la Republique për të nderuar viktimat.
Pas të shtënave, kurdët kanë ripërsëritur thirrjet drejtuar autoriteteve franceze për mbrojtje më të mirë. Udhëheqësit e komunitetit takuan shefin e policisë pariziane të shtunën.
Sulmi i së premtes erdhi pothuajse 10 vjet pas vrasjes së tre aktivisteve kurde në kryeqytetin francez – një krim i pazgjidhur.
Komuniteti kishte përsëri “frikë”, pasi ishte “traumatizuar” nga vrasjet e janarit 2013, tha një avokat i këshillit demokratik kurd në Francë (CDK-F)./FolDrejt/