Mbrëmë, në afërsi të një patrulle të KFOR-it, grupet kriminale serbe që veprojnë në veri, kanë provokuar duke shtënë me armë, shkruan Fol Drejt.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës – Xhelal Sveçla, ka reaguar duke i denoncuar spekulimet që qarkulluan fill pas incidentit.
“Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi Sveçla.
Ai tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se “Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.
Ky është reagimi i plotë i tij:
“Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale.
Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës.
Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet.
Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit.”
Të shtëna me armë zjarri në komunën e Zubin Potokut, ku fillimisht u raportua se është sulmuar një ekip i KFOR-it letonez, janë konfirmuar edhe nga KFOR-i:
“Po, mund të konfirmoj se para disa orësh KFOR-i, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër patrullës. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”, bëri të ditur KFOR-i.
Mediat serbe, fillimisht e raportuan si përleshje të armatosur, por gjithçka u hod poshtë më vonë./FolDrejt/