Teherani zyrtar “dënoi” sot vendimin e Shqipërisë për t’i dhënë fund marrëdhënieve diplomatike me Iranin, duke hedhur poshtë arsyet e Tiranës për këtë lëvizje si “pretendime të pabaza”, njoftoi Ministria e Jashtme iraniane.
Qeveria shqiptare vendosi më herët sot të ngrijë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe urdhëroi të gjithë diplomatët dhe personelin e ambasadës iraniane të largoheshin nga vendi, për shkak të një sulmi të madh kibernetik në korrik, për të cilin Tirana fajësoi Teheranin.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë thuhet se “Ambasada e Republikës Islamike të Iranit ka 24 orë kohë për t’u larguar nga Republika e Shqipërisë”.
“Shqipëria po ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe ka urdhëruar diplomatët dhe stafin e ambasadës iraniane të largohen nga vendi brenda 24 orëve, pas një hetimi për një sulm kibernetik në korrik”, tha Edi Rama.
Ndryshe, SHBA dhe Britania e Madhe kanë dënuar sot Iranin për sulm kibernetik ndaj Shqipërisë./21Media