Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, sot do të ketë rastin të flas më gjerësisht para deputetëve të vendit, për procesin e dialogut me Serbinë, shkruan Fol Drejt.
Shumë njohës të zhvillimeve konsiderojnë se presioni i madh ndërkombëtar, i ushtruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian, do t’i jap rezultatet e para në verë të këtij viti.
Duke qenë se të dy palët e kanë pranuar planin Franko-Gjerman, si bazë të mirë për zhvillimin e dialogut, kjo është një shenjë që presioni ka pasur sukses.
Megjithatë, siç edhe kemi raportuar, pozicioni i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Kryeministrit Albin Kurti si udhëheqës i delegacionit mbetet te njohja reciproke, ndryshe nga pala serbe me në krye Presidentin Aleksandër Vuçiq, i cili po kërkon me ngulm themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përpara se të ecin tutje.
Seanca e sotme plenare e cila nis në orën 12:00 ka vetëm këtë pikë të rendit të ditës “Debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”./FolDrejt/