Ministri britanik i Sportit, Huddleston tha se sportistët rusë duhet të tregojnë se nuk e mbështesin presidentin rus në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Tenisti rus numër një në botë, Daniil Medvedev ndoshta do të duhet të japë “garanci” se nuk e mbështet presidentin e Rusisë, Vladimir Putin nëse 26-vjeçari dëshiron të shmangë ndalesën që të luaj në Kampionatin Wimbledon 2022, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministri i Sportit në Britani të Madhe, Nigel Huddleston deklaroi dje se është në bisedime me “All England Lawn Tennis Club (AELTC)”, organizatorët e Wimbledon-it, rreth qëndrimit të qeverisë ndaj sportistëve rusë.
“Kemi nevojë për një dëshmi të mundshme se ata nuk janë mbështetës të Vladimir Putinit dhe jemi duke shqyrtuar se çfarë kërkesash mund të na duhen për të provuar dhe për të marrë disa garanci në këtë linjë”, tha Huddleston.
Ai theksoi se askush që mban flamurin rus nuk duhet të lejohet të luajë në Wimbledon.
Një nga katër turnetë Grand Slam, Wimbledon është planifikuar të mbahet në Londër nga 27 qershor deri më 10 korrik.
Në fund të shkurtit, Medvedev u bë numri një në renditjen e Federatës së Profesionistëve të Tenisit (ATP) me 8.615 pikë, duke ia kaluar serbit Novak Gjokoviç.
Medvedev fitoi titullin në teke për meshkuj në US Open 2021, fitorja e vetme e sportistit rus në Grand Slam.
Ai luajti për herë të fundit në finalen e Australian Open në 2022, ku u mposht nga spanjolli Rafael Nadal.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare dhe ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës duke nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.
Të paktën 691 civilë janë vrarë dhe 1.143 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës.
Sipas OKB-së, më shumë se 3 milionë refugjatë kanë ikur në vendet fqinje./FolDrejt/