Kriza që po kalon Liverpuli në fushë reflektohet në çdo dalje të trajnerit Jyrgen Klop përpara mediave. Në pak ditë, tekniku gjerman ka bërë sulmin e dytë ndaj gazetarëve që i drejtojnë pyetjet. Pas humbjes me Mançester Sitin, gazetari izraelit, Niv Dovrat, i stacionit “Sport 1”, e pyeti për shanset e Liverpulit për titull dhe Klopit nuk i mbajtën më nervat:
“Mendoj me të vërtetë se ti duhet të përgatitesh më mirë në punën tënde, sinqerisht. Si mund ta bësh këtë pyetje? Siti është 13 pikë larg nesh dhe unë dëgjoj pyetje për titullin kampion. A mendon se janë të përshtatshme për momentin?
Ti ke vetëm dy pyetje në dispozicion dhe ti e shpërdorove njërën prej tyre. Është faji yt, vetëm dy pyetje kishe”. Më pas Klop e pengoi Dovratin që të bënte pyetje të tjera dhe pranoi se skuadra e tij tani lufton vetëm për 4 vendet e para:
“Mendoj se Siti po arratiset. Lufta për 4 vendet e para është objektivi më konkret. Do të përpiqemi të sigurojmë një vend në Champions”. Gazetari Dovrat mbrojti pyetjet e tij, duke reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale mëngjesin e së hënës dhe e quajti përgjigjen që i dha Klopi i zemëruar të pazakontë: “E kam intervistuar me dhjetëra herë trajnerin e Liverpulit gjatë viteve të fundit.