Kremlini sot ka njoftuar se është i shqetësuar për shkak të situatës në rajonin e Karabakut, duke i bërë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit për përmbajtje dhe të zbatojnë marrëveshjet trepalëshe.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan mund të shkëmbejnë pikëpamje mbi situatën në lidhje me Karabakun gjatë takimit në Soçi të premten, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Gjatë takimit, Putin dhe Erdoğan do të diskutojnë për situatën në Ukrainë dhe Siri”, theksoi Peskov.
Sipas tij, në orarin e Putinit nuk ka asnjë kontakt me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, por “mund të organizohet shpejt nëse është e nevojshme”.
Azerbajxhani tha të mërkurën se ka nisur një operacion kundër forcave armene në Karabak pasi Armenia hapi zjarr ku si pasojë humbi jetën një ushtar azerbajxhanas.
Ministria e Mbrojtjes tha se Azerbajxhani “mori masat e përshtatshme” dhe nisi një kundër-operacion pasi forcat armene u përpoqën të marrin kodrën Kirgiz dhe të vendosnin pozicione të reja luftarake.
“Si rezultat i operacionit ‘Hakmarrja’ e kryer nga njësitë e ushtrisë azerbajxhanase, maja e Kirgizit si dhe Saribaba përgjatë kreshtës Karabak të Kaukazit të Vogël dhe një sërë lartësish të tjera të rëndësishme u vunë nën kontroll”, thuhet më tej.
Ministria sot njoftoi se është vendosur në rajon “mbikëqyrja e plotë mbi situatën operacionale”.
Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike të Armenisë dhe Azerbajxhanit janë nën tensione që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone fqinje.
Përplasjet e fundit ndodhën në shtator 2020, kur Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe rreth 300 vendbanime dhe fshatra që ishin pushtuar nga Armenia për gati tre dekada.
Marrëveshja me ndërmjetësim të Rusisë i dha fund përleshjes intensive 44 ditore në nëntor të vitit 2020./FolDrejt/