Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama paralajmëron udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë se po rrezikojnë një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë, në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i.
“Degradimi i situatës në veri, si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve, të Kosovës dhe Serbisë, po e rrit me orë klimën e tensionit, duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë.
Do të ishte një katastrofë, në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i. Edhe sikur 3 orë të zgjaste kjo përplasje, do të rezultonte fatale edhe për gjithë çka është bërë këto vite, me nisma dhe ndërveprime në Ballkanin Perëndimor, nën ombrellën e Procesit të Berlinit. Një kthim mbrapa dramatik për krejt rajonin”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama, shkruan Tirananews, përcjell Fol Drejt.