Në kohën kur tensionet janë në rritje me Azerbajxhanin fqinj, ministri i Jashtëm armen Ara Ayvazian dha dorëheqje, vetëm pas gjashtë muajsh në detyrë. Ai nuk dha asnjë arsye të dorëheqjes. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Anna Naghdalian, i tha Shërbimit armen të Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk do të komentonte mbi vendimin.
Ayvazian duket se kishte paraqitur dorëheqjen menjëherë pasi mori pjesë në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Armenisë, i cili diskutoi rritjen e tensioneve në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Duke folur në takim, kryeministri i përkohshëm, Nikoll Pashinian bëri thirrje për vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë përgjatë pjesëve të kontestuara të kufirit ku trupat armene dhe azerbajxhanase janë përballur për dy javët e fundit. Nuk dihet nëse ministri Ayvazian ishte dakord me propozimin e Pashinianit.
Gazeta e Jerevanit Hraparak njoftoi më 21 maj se Ayvazian nuk ishte dakord me Pashinian mbi një projekt marrëveshje trepalëshe me Azerbajxhanin dhe Rusinë për të ngritur një komitet të përbashkët për të shënjuar kufirin midis dy fqinjëve të Kaukazit të Jugut.
Pashiani emëroi Ayvazian si ministër të Jashtëm më 18 nëntor si pjesë e një riorganizimi të kabinetit pas humbjes së Armenisë në një luftë gjashtë javore në Nagorno Karabak. Diplomati 52-vjeçar i karrierës kishte punuar më parë si ambasador i Armenisë në Meksikë dhe vende të ndryshme të Evropës.
Dorëheqja e tij ndodhi pasi forcat azerbajxhanase kapën gjashtë ushtarakë armenë në rajonin kufitar.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se ushtarët armenë u kapën pasi ata u përpoqën të kalonin kufirin për të vendosur mina.