Ndërsa tensionet po rriten në rajonin e Karabakut, Azerbajxhani tha se Armenia ka shënjestruar pozicionet e saj ushtarake dhjetë herë gjatë 24 orëve të fundit.
Në gjashtë nga incidentet, forcat armene hapën zjarr “nga pozicionet në drejtim të rajoneve Basarkechar, Garakilsa dhe Gorus” mbi njësitë ushtarake të Azerbajxhanit “të vendosura në drejtim të rajoneve Kalbajar dhe Lachin”, tha Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit në një deklaratë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Katër rastet e tjera u regjistruan si rezultat i zjarrit periodik të hapur nga përdorimi i pushkëve snajper dhe armëve të kalibrit të ndryshëm në pozicionet e Ushtrisë së Azerbajxhanit, të vendosura në drejtim të rajoneve Kalbajar, Goranboy dhe Fuzuli, nga anëtarë të një njësie ilegale armene në territorin e Azerbajxhanit, ku janë vendosur përkohësisht paqeruajtësit rusë”, thuhet në deklaratë.
Ministria tha se nuk ka humbje të personelit apo pajisjeve ushtarake, duke shtuar se Ushtria e Azerbajxhanit mori “masa adekuate hakmarrëse” në të gjitha rastet.
Deklarata përsëriti se “udhëheqja ushtarako-politike armene mban të gjithë përgjegjësinë për tensionet e fundit që ndodhin në kufirin shtetëror Azerbajxhan-Armeni, si dhe në territorin e Azerbajxhanit, ku janë vendosur përkohësisht paqeruajtësit rusë”.
Tensionet janë rritur që kur një ushtar azerbajxhanas u vra nga gjuajtjet armene javën e kaluar në rajonin kufitar Lachin, duke e shtyrë Bakun të nisë një operacion hakmarrës kundër forcave armene në Karabak.
Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone të afërta.
Gjatë konfliktit në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe afro 300 vendbanime dhe fshatra që ishin pushtuar nga Armenia për gati tre dekada.
Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Rusia në nëntor 2020 i dha fund konfliktit./FolDrejt/