Ministrat e Jashtëm të NATO-s të premten do të mbajnë takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar mbi ngritjen ushtarake të Rusisë dhe sigurinë e Evropës, njoftoi sot blloku ushtarak, shkruan Anadolu Agency, transmeton Fol Drejt.
“Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të diskutojnë ngritjen ushtarake të Rusisë në dhe rreth Ukrainës dhe çështje më të gjera të sigurisë evropiane”, thuhet në një deklaratë të NATO-s.
Kryediplomatët do të mbajnë një videokonferencë të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Takimi i jashtëzakonshëm vjen përpara një sërë ngjarjesh kryesore diplomatike midis partnerëve ndërkombëtarë dhe Rusisë.
Më 9-10 janar, delegacionet amerikane dhe ruse të kryesuara nga zëvendëssekretarja e Shtetit e SHBA-së, Wendy Sherman, dhe zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov do të takohen në Gjenevë.
Më 12 janar, Këshilli NATO-Rusi do të mblidhet për herë të parë që kur NATO pezulloi në vitin 2014 gjithë bashkëpunimin praktik me Moskën për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Më 13 janar, zyrtarët rusë do të zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).
Viti i kaluar u shënua me tensione të larta midis NATO-s dhe Rusisë mbi akuzat për spiunazh dhe ngritjes së vazhdueshme ushtarake të Moskës në dhe rreth Ukrainës.
Për të normalizuar marrëdhëniet, Rusia i dorëzoi SHBA-së dhe NATO-s dy projekt-marrëveshje mbi garancitë evropiane të sigurisë muajin e kaluar.