Një 21 vjeçar nga Kosova është arrestuar në kufirin Kosovë-Shqipëri, në pikën kufitare në Morinë pas tentimit që të korruptojë policinë kufitare me ryshfet parash.
Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, thuhet se 21 vjeçari kishte tentuar të korruptonte policinë kufitare me qëllim të kalimit të kufirit me një veturë që dyshohet të jetë e vjedhur, transmeton Fol Drejt.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve të pandërprera, për goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, përmes kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, motomjetin me drejtues shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë.
21-vjeçari ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prej 50 euro.”, thuhet në njoftim.
Nga verifikimi në sistem rezultoi se ky shtetas kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër.
Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, ndërsa i dyshuari u arrestua nën akuzën e kryerjes së veprave penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”./FolDrejt/