Një 46-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person për shkak të konfliktit për pronën.
Për këtë ka njoftuar Policia e Shqipërisë, duke shtuar gjithashtu se rasti ka ndodhur në Tiranë, transmeton Fol Drejt.
“Sekuestrohen arma e zjarrit (pushkë), municion luftarak, një silenciator i modifikuar, një palë dylbi dhe një armë gjahu, që i posedonte 46-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Arbana”.
Si rezultat i këtij operacioni është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit: G. Xh., 46 vjeç, banues në Vaqarr, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi G. Xh. ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin J. M., 27 vjeç, të dy banues në fshatin Arbanë, për shkak të një konflikti për motive pronësie, në muajin shtator. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, kanë gjetur armën e zjarrit pushkë, me fishek në fole, gati për qitje, me të cilën shtetasi G. Xh. ka tentuar të vrasë 27-vjeçarin.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale municion luftarak, një silenciator të modifikuar, një palë dylbi dhe një armë gjahu”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./FolDrejt/